E Merkure, 19 Qershor 2013

Ana e erret e arit te zi

Prej 52 vjetesh shfrytezohen 3000 puse. Grabitjet e naftes, solarit dhe deri tek shitja e hekurave per skrap nuk ka munguar. Historia e kompanise qe humbet e fiton. Albpetrol do te mbese ende shteterore, ARMO futet ne procesin e privatizimit

Sebi Alla

Po nuk pati nafte, me siguri qe ka armiq. Ne fund njeri nga te dy, do ta nxjerre koken. Por kjo formule kaq e pelqyer e regjimit te vjeter, nuk aplikohet me prej kohesh. Sepse ne Shqiperi ka edhe nafte, edhe “armiq”. Qe ia kane dale prej 16 vjetesh te merren vesh per bukuri me shoshoqin. Dhe “pucistet sabotatore” nuk eshte nevoja t’i shpike me njeri: Ata jane aty, pavaresisht se cilet drejtore ikin a vijne ne krye te Albpetrolit, kompanise shteterore te nxjerrjes se naftes dhe gazit. Formula eshte e thjeshte: Nga nentoka, ne tubacionet e amortizuara e pastaj ne autobote. Frymezimi eshte i vjeter. Albpetrol dhe Armo, kompania e shitjes, jane safi 100 per qind shteterore; pra jane prone e te gjitheve; pra jane prone e askujt. Dhe ashtu si ne gjithe boten, nafta pervec eres se rende shpuese, ne zonen Fier-Ballsh ka sjelle edhe aromen e kendshme te fitimeve neto e bruto.

Ne godinen e Albpetrolit, aty ne te hyre te Patosit, nuk vjen aspka ajo era e rende qe gjithkush e ka ndjere. Porta e hekurt hapet me telekomande dhe ne zyrat e gjigantit katerkatesh, te rikonstruktuar ne kohet e fundit, ka zhurme.

“Eshte nje kompani e madhe qe administron te gjithe vendburimet dhe perpunimin e naftes dhe nenprodukteve te saj”, thote zevendesdrejtori Vasillaq Ngresi. Per kater dite e ka pare veten ne krye te ketij institucioni, pasi drejtori Ilia Fili kishte paraqitur doreheqjen ne ministrine e Ekonomise. Ngresit i duhet te firmose shkrese pas shkrese nga zhinxhiri i letrave qe i sjellin mbi tavoline, deri ne momentin qe kryeinxhinieri i rafinerise se naftes ne Fier, Ylli Gjonaj, te ambientohet me karrigen e re te drejtuesit te Albpetrolit. Drejtoret e nje prej kompanive me te medha shteterore ne vend, nuk kane qene shume jetegjate. Edhe pse nafta prej 50 vjetesh nuk ka pushuar se buruari nga netoka e Ballshit, Kucoves, Sheqishtes dhe Delvines. “Kjo eshte nje ndermarrje e gjitha me kapital shteteror dhe ne muajt e fundit kemi kryer nje shkrirje brenda Albpetrolit”, thote Ngresi. Kompania Servcom (segmenti i kerkimit dhe nxjerrjes se gazit) i eshte bashkangjitur Albpetrolit, duke shtuar akoma me shume numrin e punonjesve. Vetem Albpetrol ka nje fuqi punetore prej 4032 personash, por me ardhjen e forcave te reja, arrin ne 4800. Armata eshte vetem ne ndermarrjen e prodhimim-rafinimit, pasi zinxhiri perfundon tek sektori tjeter shteteror, ARMO, shitese dhe menaxhuese e naftes dhe nenprodukteve te saj. Vetem per vitin e kaluar jane nxjerre 316.190 ton nafte, 11.091 meter kub gaz i lengshem, ndersa pjesa tjeter eshte rere bituminoze. Kjo eshte ana e dukshme e shifrave publike qe raportohen cdo tremujor. Por ne zyrat e Albpetrol nuk ka dosje e vandake letrash zyrtare qe ndricojne pjesen e erret, qe ka shoqeruar ne 16 vjet kete ndermarrje. Duke dale nga ambienti i brendshem i Albpetrolit, drejtuesit e te ciles nuk ngurruan te rreshtojne veshtiresite qe hasin ne menaxhimin e nga te paktave ndermarrje shteterore, oborri i godines moderne deshmon te kunderten. Dhe pamja nuk flet aspak te favor te ankesave per mungese teknologjie. Sepse ne hapesiren e madhe ka vend per nje panair te vertete automjetesh luksoze. Autovetura dhe fuoristrada nuk jane te shtetit, por personale te nepunesve qe ne fund te muajit firmosin ne borderone e subjektit shteteror. Sigurisht, nje BMV X-5 nuk djeg nafte Ballshi, qe nxirret e perpunohet ende me teknologjine e vjeter ruse e kineze. Po ja qe nafta safi shqiptare, ka kapur 30 per qind te tregut vendas. Dhe ne gjuhen moderne shitja perkthehet ne fitim. Keto te fundit…

Doni nafte te mire vendi? Nje rrugetim i shkurter nga Patosi ne Ballsh, zbulon nje seri pikash karburanti. Nuk bien aspak ne sy; dy pompa te vogla naftematese dhe nje tabele e shkruar nxitimthi, ‘naft ballshi’.

“Ku di une se c’ben pronari, i rregullon vete punet me ata te naftes…”. Keshtu thote nje mesoburre i ngjyer ne graso deri ne llere, punetor i karburantit. Ka pasur disa raste ku jane proceduar penalisht disa punonjes te administrates se Albpetrolit, per implikimin e tyre ne shitjen ilegale te karburanteve. Duke vene ne loje faturat e hyrje-daljeve te mallit me vulen shteterore. Nje pjace e larte kjo, sepse pakkush ka aksesin te perfshihet ne meselene e tregtise se paligjshme. Behet fjale per nafte te paster, te rafinuar, te gatshme per te vene ne levizje motoret e automjeteve, kryesisht te tonazhit te rende. Sa per shpendarjen e tollonave te lengut te shtrenjte, ato kalojne neper duar sikur te ishin bileta falas te nje koncerti bamiresie. Pasketaj behet me e kuptueshme ajo cka na tha nje mik gazetar nga Fieri qe e takuam rastesisht: “Do besh shkrim per Albpetrolin? Do te te japin ndonje tollon, apo jo..”. Nje tjeter rruge ku nafta bruto, (solar), firon ne rruge e siper eshte edhe ajo e transportit me tren. Sigurisht, botet e vagonave figurojne te mbushura aq sa duhet, qe kur te hiqet “ajo sasi”, diferenca te mos figuroje gjekundi. Duke ja nxjerre fjalet me grep dhe me lezet, nje punonjes i thjeshte i Albpetrolit qe mjaftohet me 37.000 leke ne muaj, tregon se krahengrohtet mbushin autobotet me solar dhe gjejne treg kryesisht ne Maqedoni, aty ku furrat e bukes dhe uzinat e perdorin si lende djegese. Dhe rastet e implikimit te drejtuesve te kompanise nuk kane munguar. Me i bujshmi ishte denimi ish-drejtorit te Servcom ne vitin 2002, Petraq Dhoska, ish-drejtorja ekonomike Nikoleta Nikolla dhe ish-drejtori teknik Muharrem Velaj. Edhe pse mbanin poste te larta, nafta qe merr zjarr me veshtiresi, nuk ua ngrohu shume krahet ne gjykate. Denoncimi per ta erdhi nga punetoret e thjeshte, te perfaqesuar nga sindikata. Ata i akuzuan tre ish-eproret e tyre per shkaterrimin e 70 sondave te shpimit me gjitha aksesore; zhdukjen e 7 vagonave te trenit ne stacionin e Fierit, qe u ngarkuan me sonda dhe nuk dihet nga shkuan. Ne procesin e hetimit dolen edhe fakte te tjera qe kishin te benin me vjedhjen e 75 daltave te shpimit ne magazinen e Sarandes, me vlere 4.5 milione leke, vjedhjet e preventoreve ‘kameron’, me vlere 300 mije USD, vjedhjet e profileve te llamarines, si dhe blerjen e tubave te naftesjellesit, me vlere 127 leke per kg, kur cmimi real ishte shume here me i vogel. Ngjan sikur cikli i grabitjes se naftes, solarit, e deri tek hekurishtet e puseve, mbyllet me kapot e kompanise shteterore. Po ka mbetur edhe pjesa tjeter qe ‘gjerb’ mbetjet e tregtise se heshtur.



Banoret e Ballshit, Patosit apo te Fierit, qe punojne ne kompanine naftenxjerrese e perpunuese, as nuk mund te pretendojne te perfshihen ne lojen e naftes se paster. Mjaftohen me solarin. Tubat metalike te brejtur nga plakja, por edhe te germuar me gur fresibel, jane rreth 30 cm nen dhe, vende-vende te dukshme. Puna kryhet naten, kur syte e kureshtareve jane te mbyllur. Per vitin 2006 jane regjistruar 18 raste te demtimit te tubacioneve dhe grabitjes se solarit. Lenda djegese kalon dore per te perfunduar tek ndermarrjet private, qe u leverdis te blejne solar me cmimin badihava. Perpos firove nga pusi tek depozitat e karburantit, per 2006-en, prodhimi i naftes u rrit me rreth 50 per qind me shume se viti paraardhes. Po kjo nuk do te thote se teknologjia ka perparuar. Kryetarja e deges teknike ne Rafinerine e Fierit, Eleni Cuni, po numeron edhe pak dite qe i ka mbetur nga dalja ne pension. Ditet e para qe nisi punen rafineria, qe daton ne vitin 1968, edhe Cuni qe e pranishme me uniformen e re. Qe nga ajo kohe nuk eshte shkeputur nga rafineria. “Vetem ketu punojne rreth 260 persona, pasi edhe kapaciteti i perpunimit eshte shtuar”, thote gruaja 57-vjecare, qe 39 vitet e punes i ka nisur dhe po i bitis po aty. Furra qe hollon solarin eshte kineze, ndersa e gjithe pjesa tjeter teknologji ruse. Per 3 dekada ishin perdorur nga vendet mike te shqiperise komuniste, shto edhe 39 vjet pune intesive ne Shqiperi, merret me mend se ne c’gjendje ndodhet sot. “Ne fillim perpunonim deri ne 1500 ton ne dite, mazut, bitum dhe solar. Ndersa tani arrijne ne rreth 120 mije ton ne vit”. Per drejtuesen e deges teknike, rafineria e naftes ne Fier ka kapacitet edhe me te madh prodhimi, por per momentin kaq eshte sasia qe perpunohet aty. “Shume punonjes jane te kualifikuar dhe kjo ka bere qe ndermarrja te mbahet ne eficense te mire pune. Ketu aktualisht perpunohet bitum, nafte bruto, benzin dhe gazoil qe perzihet per hollues te puseve”. Keshtu shprehet Cuni, qe ne ato momente i duhet te hedhe edhe nje here syte nga furra qe nga larg leshon afshin e nxehte. Brenda mundesive qe mund te ofroje nje ndermarrje e tille, ku ndryshku i hekurishteve ka marre dhene, mundohen te krijojne edhe kushtet teknike. Punonjesit qe jane prane depozitave te solarit, perdorin disa maska te thjeshta bojaxhinjsh. Po sado te tregohen te kujdeshem, te gjithe punetoret kane probleme shendetesore. Qe nga rruget e frymemarrjes e deri tek kanceri ne mushkeri. Nje “epidemi profesionale” qe ka kapur jo vetem njerezit e rafinerise, por gjithe kompleksin e Azotikut ne Fier. Qe shteti te investoje per teknologjine, e kote te mendohet.

Ndaj ne loje jane futur kompani te huaja qe po interesohen te marrin me koncensione, puset e naftes. Historiku i naftekerkuesve e naftenxjerresve, nuk eshte i ri. Ne fillim te vitit 1927, italianet koncensionare te AIPA-s, zbarkuan me specialiste inxhiiniere te naftes dhe te tjere te germonin token. E ndersa kont Ugolini germoi ne Butrint dhe zbuloi koken e Deas, pak muaj me bashkeatdhetaret e tij gjeten nafte ne Kucove. Industria e rende e vendit fqinj kishte nevoje per lenden djegese.

Por sot “nuk po plas me” ne Kucove. Sa per kushtet e punes, jane thuajse po ato. Ndersa paga eshte relativisht e kenaqshme, kur mesatarja arrin ne rreth 37.000 leke ne muaj, pa llogaritur edhe 500 leke qe jepen ne dite per ushqim. Edhe sa kohe do e perfitojne kete page?! Tashme nuk ka rruge tjeter pervec gjetjes se vendburimeve te reja dhe permiresimit te teknologjise.

Specialistet e Albpetrolit kane kryer studimet dhe rezulton se pavaresisht naftes se cilesise se larte qe mban nentoka e Kucoves, sasia e saj eshte e vogel dhe nuk ja vlen investimin. Me e angazhuara nder subjektet e huaja eshte kompania kanadeze Saxon. Kontrata 25 vjecare i ka kushtezuar te huajt qe investojne pa teklif ne teknologji. Albpetroli i ka dorezuar per shfrytezim 213 puse, ndermjet trekendeshit Ballsh-Marinze-Sheqishte. Ne administrimin e shtetit jane 3000 puse, por vetem 2000 prej tyre nxjerrin arin e zi. Statistikat e naftes se kaluar nga nentoka shqiptare ne industri, jane vertet te medha. Nga 3000 puset, per 52 vjet u shtrydhen 51.471.000 ton nafte. Po nese privatizimi i kompanise shpresohet nje ore e me pare, zor se do ndodhin cudira ne Albpetrol. Sepse aty “hane buke” mijera punetore e akoma me shume familjare te tyre. Edhe sikur te gjithe te ishin te ndershem, shkurtimet do te ishin te pashmangshme. Por nga ana tjeter, kush kompani private do lejonte t’i grabitej dite e nate, solar, nafte e gaz?!

Albpetroli i destinuar per shfrytezimin e resurseve te naftes do t’i shpetoje privatizimit. “Jane interesuar shume kompani te huaja per te lidhur kontrate per shfrytezimin e puseve te naftes”. Keshtu thote nendrejtori Vasillaq Ngresi, qe si rrugen e pershtashme sheh lidhjen e kontratave per shfrytezim. Ne u ofrojme resurset, ata i shfrytezojne dhe ne fund fitimet ndahen sipas kontratave, qe ne te ardhura kalojne me shume ne arken e shtetit. Saxon ka vene ne dispozicion te gjithe bazen materiale dhe perpunuese dhe ne bilancin perfundimtar, merr 37 per qind te vleres, pjesa tjeter i perket Albpetrolit. Por nese prodhimi do te mbese monopol shteteror, pjesa e menaxhim-shitjes eshte futur ne rrugen e privatizimit. Qeveria ka shpallur privatizimin brenda vitit 2007 te gjigantit shqiptar te naftes ARMO, por ende nuk po shpallen procedurat paraprake per vleren e kompanise dhe procedurat e privatizimit. Ajo eshte vleresuar paraprakisht me nje cmim dysheme prej 110 milione dollare, por mund te vleje edhe me shume ne rast se do te kishte nje ankand. Sa te dale edhe pika e fundit nga zona industriale naftembajtese, do kete vend edhe per grabitje, mashtrime e tendera milioneshe. Dikush me autobote, tjetri me tren. Dhe me te vobektit, me bidona.

Industria e Naftes

Vendburimet e naftes 6

Vendburimet e gazit 4

Vendburime rere bituminoze 1

Puse nafte gjithsej 3000

Te shfrytezueshme 2000

Te dhena me koncension 213

Te punesuar ne Albpetrol 4800

Prodhuar per 2006 316.190 ton

Te shfrytezuara nder vite 51.471.000 ton